
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po kalon transformimin më të madh në historinë e saj në raport me drejtësinë dhe shtetin ligjor, ndërsa mbrojti fort Reformën në Drejtësi gjatë fjalës së mbajtur në Sesionin Hapës të Kongresit Botëror të Ligjit në Tiranë.
Rama tha se Shqipëria është përzgjedhur për të mikpritur Kongresin Botëror të Ligjit në vitin 2027 jo për pozicionin gjeografik apo klimën, por për atë që ka bërë në dekadën e fundit për ndërtimin e një shteti të qeverisur nga ligji dhe jo nga forca.
Në fjalën e tij, kryeministri u ndal te Reforma në Drejtësi dhe procesi i vettingut, duke kujtuar se mbi 90% e shqiptarëve e mbështetën reformën, ndërsa mbi 80% nuk besonin se do të shikonin ndonjëherë fundin e pandëshkueshmërisë.
“Shpata e zonjës së drejtësisë ishte e palëvizur në zyrën e të parit të qeverisë. Në vitin 2013 ne bëmë atë që s’kishte guxuar ta bënte askush më parë: të dorëzojmë shpatën tek një forcë tjetër dhe të krijojmë kushtet për një pushtet realisht të pavarur nga pushteti politik”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se ndërtimi i institucioneve të drejtësisë është një proces afatgjatë dhe paralajmëroi se qeveria nuk do të lejojë kthim pas në reformë.
Sipas Ramës, Bashkimi Europian mbetet garancia më e madhe për suksesin e reformave dhe për ndërtimin e institucioneve të pavarura në Shqipëri.
“Ne jemi plotësisht të vendosur që të mos lejojmë kthim mbrapa dhe ta bëjmë të pakthyeshëm këtë proces”, u shpreh kryeministri.
Gjatë fjalës së tij, Rama përdori edhe shembuj simbolikë për të shpjeguar rëndësinë e institucioneve dhe forcës së sistemit ligjor, duke krahasuar sjelljen e qytetarëve shqiptarë dhe europianë në raport me respektimin e rregullave.
Kongresi Botëror i Ligjit u hap në Tiranë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të drejtësisë ndërkombëtare, juristëve dhe institucioneve ligjore nga vende të ndryshme të botës.






