
Kreu i PD-së, Sali Berisha, deklaroi në Kuvend se raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për Shqipërinë konfirmon, sipas tij, të gjitha denoncimet që opozita ka bërë prej vitesh ndaj qeverisë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi mazhorancën se me votën kundër kërkesës për Belinda Ballukun ka dëmtuar procesin e integrimit europian të vendit.
“Me atë votë krimi që keni dhënë për Ballukun, i keni futur një thikë pas shpine procesit të integrimit europian të shqiptarëve”, deklaroi Berisha në Kuvend.
Ai tha se raporti i Komisionit të Jashtëm pasqyron problematikat e ngritura nga opozita dhe nuk është produkt i saj, por rezultat i një misioni faktmbledhës të Parlamentit Europian.
Sipas Berishës, raporti evidenton probleme serioze me zgjedhjet, duke pretenduar se institucionet shtetërore janë shkrirë me strukturat e partisë në pushtet.
“Institucionet e shtetit u shkrinë në një me strukturat e partisë. Pra, bëtë zgjedhje në kushte moniste”, u shpreh ai.
Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama se po shmang përballjen në Kuvend lidhur me çështjen “Balluku”, ndërsa pretendoi se emri i tij përmendet në dosjen hetimore.
Në fjalën e tij, kreu i PD-së iu referua edhe raportimeve mediatike sipas të cilave në draftin e raportit të Parlamentit Europian janë bërë mbi 300 amendamente dhe ndërhyrje.






