Përplasja për zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut është ashpërsuar mes koalicionit opozitar shqiptar ASH dhe bllokut qeveritar VLEN, pas deklaratave të fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski se vendi mund të shkojë shumë shpejt në zgjedhje.

Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit i bëri thirrje kryeministrit që të kërkojë shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke argumentuar se procesi eurointegrues po mbahet peng nga qeveria aktuale. Në reagimin e saj, ASH akuzon VLEN-in për “tradhti të pritshmërive të shqiptarëve”, duke përmendur heqjen e mekanizmit të balancuesit, mosrealizimin e ndryshimeve kushtetuese dhe, sipas tyre, dobësimin e përdorimit institucional të gjuhës shqipe.

Sipas ASH-së, qytetarët po përballen me kosto të larta jetese, paga të ulëta dhe emigrim të të rinjve, ndërsa zgjedhjet e reja konsiderohen si “shpëtimi i vetëm për shqiptarët”.

Nga ana tjetër, VLEN hodhi poshtë kërkesat e opozitës, duke deklaruar se qeveria ka “shumicë stabile dhe të konsiderueshme” dhe se koalicioni shqiptar në pushtet po hyn në fazën finale të shkrirjes në një subjekt të vetëm politik.

Në reagimin e tyre, përfaqësuesit e VLEN theksojnë se janë “forca e dytë politike në vend” dhe kujtojnë se në zgjedhjet e fundit lokale fituan 10 komuna me shumicë shqiptare, që sipas tyre dëshmon mbështetjen qytetare.

VLEN shton se fokusi kryesor duhet të mbetet përmirësimi i standardit të jetesës dhe funksionimi i institucioneve, duke lënë të kuptohet se nuk shohin arsye për zgjedhje të parakohshme në këtë moment.

Ndërkohë, deklaratat e Mickoskit për zgjedhje të afërta kanë shtuar tensionin politik në Shkup dhe kanë nxitur spekulime për zhvillime të reja në koalicionet qeveritare dhe opozitare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu