
Shqipëria është futur sërish nën lupën e MONEYVAL, strukturës së Këshillit të Europës që monitoron zbatimin e standardeve ndërkombëtare kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Një delegacion ekspertësh ndërkombëtarë zhvilloi një vizitë dyjavore në Shqipëri nga 14 deri më 24 prill 2026, në kuadër të raundit të gjashtë të vlerësimeve reciproke për sistemin shqiptar të luftës kundër krimit financiar.
Sipas njoftimit zyrtar të MONEYVAL, qëllimi i procesit është të vlerësohet efektiviteti i institucioneve shqiptare në zbatimin e standardeve të FATF për parandalimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.
Në hapje të misionit, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi se qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional në luftën kundër krimit financiar.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, ekspertët zhvilluan takime me institucione shtetërore, agjenci ligjzbatuese, prokurori, gjykata dhe autoritete mbikëqyrëse, por edhe me sektorin privat, ku përfshihen bankat, noterët, avokatët, kazinotë, agjentët imobiliarë dhe organizatat jofitimprurëse.
Raporti final i MONEYVAL pritet të diskutohet dhe miratohet në mbledhjen plenare të dhjetorit 2026. Ky raport konsiderohet me rëndësi të veçantë, pasi ndikon drejtpërdrejt në perceptimin ndërkombëtar për Shqipërinë dhe në besueshmërinë e sistemit financiar të vendit.
Një vlerësim negativ mund të sjellë pasoja për klimën e biznesit, sistemin bankar dhe marrëdhëniet financiare ndërkombëtare të Shqipërisë.



