
Piloti indian Smit Machchhar, i cili u plagos me thikë nga bashkëpiloti në fluturimin e Flydubai nga Dubai drejt Tel Avivit, ka treguar për herë të parë momentet dramatike brenda kabinës dhe vendimin që ndihmoi në shpëtimin e më shumë se 170 personave në bord.
Në një videotelefonatë me kryeministrin indian Narendra Modi, Machchhar tha se ndodhej i plagosur në dyshemenë e kabinës, ndërsa sulmi ndaj tij vazhdonte dhe avioni kishte nisur të humbiste me shpejtësi lartësi.
“Isha i shtrirë në dysheme, i plagosur, por i thashë vetes se duhej të bëja edhe një përpjekje të fundit për të hapur derën nga brenda. Të tjerët hynë dhe luajtën gjithashtu rol në marrjen nën kontroll të situatës. Sigurisht që po luftoja për jetën time, por në të njëjtën kohë e dija se nuk do t’i lija të tjerët të vdisnin”, tregoi piloti.
Fluturimi FZ1073 po udhëtonte nga Dubai drejt Tel Avivit kur, rreth dy orë e gjysmë pas nisjes, avioni humbi më shumë se 5.200 metra lartësi.
Fillimisht nga avioni u dërgua një sinjal emergjence dhe më pas u aktivizua kodi “squawk 7500”, kodi ndërkombëtar që përdoret për të sinjalizuar një ndërhyrje të paligjshme ose rrëmbim të mundshëm të avionit.
Sipas autoriteteve izraelite, bashkëpiloti dyshohet se goditi me thikë kapitenin dhe më pas tentoi të merrte kontrollin e avionit.
Por Machchhar, edhe pse i plagosur, arriti të hapte derën e kabinës. Pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit hynë brenda dhe neutralizuan agresorin.
Një tjetër rrethanë rezultoi vendimtare: në mesin e pasagjerëve ndodheshin dy pilotë rezervë. Pasi situata u vu nën kontroll, ata morën drejtimin e Boeing-ut dhe e ulën atë në mënyrë të sigurt në aeroportin e Tabukut, në veriperëndim të Arabisë Saudite.
Avioni u ul në orën 06:58 me orën lokale.
Machchhar u dërgua fillimisht në spital në Tabuk dhe më pas u transportua drejt Abu Dhabit. Gjendja e tij raportohet e qëndrueshme.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka cilësuar kapitenin indian një “hero të vërtetë”. Ndërsa Narendra Modi i tha Machchhar se guximi, qetësia dhe vendimmarrja e tij kishin shpëtuar jetën e shumë njerëzve.
Piloti, i cili ka 17 vjet eksperiencë në aviacion, tha se përvoja e gjatë e ndihmoi të kuptonte gjendjen e avionit edhe në momentet kur ishte i plagosur.
“Mund ta kuptoj se çfarë po ndodh me avionin edhe me sytë mbyllur”, tha ai.
Hetimet për motivin e sulmit vazhdojnë. Netanyahu ka deklaruar se bashkëpiloti i dyshuar është shtetas i Omanit dhe se të dhënat paraprake të hetimit izraelit sugjerojnë radikalizim islamist. Emiratet e Bashkuara Arabe po hetojnë nëse incidenti kishte lidhje me aktivitet apo motiv terrorist.
Ndërkohë, për Machchhar beteja tani është ajo e rikuperimit.
“Nuk po e shoh këtë plagë thjesht si një plagë, sepse kjo do ta bënte shërimin edhe më të vështirë. Po e shoh si një rrugëtim që do të marrë kohë, por jam i bindur se do të shërohem dhe do të jem përsëri mirë”, tha ai.






