Prestigjiozja amerikane The New York Times i ka kushtuar një artikull të gjatë protestave që prej më shumë se tre javësh po zhvillohen në Tiranë kundër projektit turistik të lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner.

Në artikullin e titulluar “Luxury Kushner Project Collides With Albanian Discontent”, gazeta thekson se ndonëse protesta është interpretuar në SHBA si një lëvizje kundër familjes Trump apo Izraelit, vetë protestuesit shqiptarë e mohojnë këtë narrativë.

“Nuk po protestojmë kundër Trumpit apo Izraelit. Po protestojmë kundër gjithçkaje tjetër”, citohet një protestues në artikull, duke iu referuar korrupsionit, elitës politike dhe problemeve ekonomike në vend.

Sipas New York Times, zemërimi publik shpërtheu pas publikimit të një videoje ku roje private largonin me forcë një protestues në zonën e Zvërnecit, ku parashikohet ndërtimi i një resorti luksoz me investim mbi 4 miliardë dollarë, i lidhur me Jared Kushner dhe investitorë nga vendet e Gjirit.

Artikulli nënvizon se protestat janë shndërruar në një fenomen kombëtar, me mijëra qytetarë që dalin çdo mbrëmje në Tiranë nën sloganin “Albania is not for sale” (Shqipëria nuk është në shitje), ndërsa flamingot janë kthyer në simbol të lëvizjes.

Gazeta sjell edhe qëndrimin e kryeministrit , i cili deklaron se projekti nuk do të anulohet dhe se ende nuk janë firmosur kontrata përfundimtare apo leje ndërtimi për investimin.

New York Times citon gjithashtu analistë dhe pjesëmarrës në protesta, të cilët argumentojnë se lëvizja reflekton humbjen e besimit te i gjithë sistemi politik shqiptar dhe jo vetëm kundërshtimin e projektit të Kushner.

Në fund të artikullit, Rama shprehet i bindur se resorti do të realizohet.

“Nuk do të anulohet. Kjo është e sigurt”, citohet kryeministri shqiptar nga gazeta amerikane.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu