Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ka ironizuar figurat e opozitës që sipas tij po garojnë për protagonizëm në protestën kundër projektit në Zvërnec dhe qeverisë Rama.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla publikoi një video me Klevis Balliu, Arlind Qori, Agron Shehaj dhe Adriatik Lapaj, të cilët i cilësoi me ironi si “udhëheqësit e Shqipërisë së Re”.

“Njihuni me udhëheqësit e ‘Shqipërisë së Re’, të cilët shpallin vendimet, japin konkluzionet, marrin like-t. Ne kemi Shqipërinë 2030 në BE të shqiptarëve të punës”, shkroi Balla.

Deklarata vjen në ditën e 22-të të protestës, ku organizatorët kanë deklaruar vazhdimisht se lëvizja është qytetare dhe nuk përfaqëson asnjë forcë politike. Megjithatë, protesta ka tërhequr mbështetje dhe reagime nga figura të ndryshme të opozitës, të cilat kanë shprehur publikisht qëndrimet e tyre për zhvillimet në bulevard.

Balla e përdori këtë rast për të bërë dallimin mes asaj që ai e cilëson si garë për protagonizëm politik dhe objektivit të mazhorancës për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

Ndërkohë, pas largimit të protestuesve që e kaluan natën në bulevard, është liruar edhe kalimi përpara godinës së Kryeministrisë, i cili kishte qenë i bllokuar gjatë orëve të para të mëngjesit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu