Ka përfunduar pas rreth nëntë orësh mbledhja e kryeministrit Edi Rama me anëtarët e kabinetit qeveritar në Pogradec.

Takimi nisi gjatë paradites dhe vijoi deri në orët e mbrëmjes, ndërsa ministrat raportuan mbi rezultatet e deritanishme, projektet në zhvillim dhe objektivat për periudhën e ardhshme.

Mbledhja u zhvillua një ditë pas takimit të gjatë të Ramës me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në 12 qarqet e vendit dhe kryetarët e komisioneve parlamentare. Në qendër të diskutimeve ishte analiza e punës së ekzekutivit dhe bashkërendimi i prioriteteve për sezonin e ri politik.

Gjatë takimit u diskutua edhe për mënyrën e re të komunikimit të qeverisë me qytetarët, përfshirë platformën “Pasqyrë Albania”, të prezantuar nga Rama si një mekanizëm për evidentimin dhe ndjekjen e problematikave të raportuara.

Sipas të dhënave të bëra publike, kjo platformë pritet të ketë dy seksione kryesore: “Flamingo Mirror”, ku do të mblidhen sinjalizimet dhe shqetësimet e qytetarëve, dhe “Radar”, që do të shërbejë për gjurmimin e problematikave dhe ecurinë e trajtimit të tyre nga institucionet.

Gjatë mbledhjes, Rama publikoi edhe pamje nga bashkëbisedimi me ministrat dhe me ministren virtuale “Diella”. Në një prej videove, kryeministri e pyeti “Diellën” për ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, ndërsa përgjigjja u përqendrua te përvoja e saj në shërbimin publik dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet ministrive.

Takimi maratonë në Pogradec ishte pjesë e përgatitjeve të mazhorancës për muajt në vazhdim, me fokus te bilanci i punës së ministrive, projektet strategjike dhe objektivat politike e qeverisëse.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu