Maqedonia e Veriut ka humbur grantin e Bashkimit Evropian nga fondet IPA, i cili ishte parashikuar për ndërtimin e linjës hekurudhore drejt Bullgarisë, për shkak të vonesave në zbatimin e projektit dhe mosrespektimit të afateve.

Sipas një projektligji të dorëzuar në Kuvend, kontrata për ndërtimin e hekurudhës nuk u nënshkrua brenda afatit të përcaktuar, çka bëri që fondet e Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) të mos jenë më të disponueshme për këtë projekt.

Për këtë arsye, qeveria ka nisur procedurat për ndryshimin e modelit të financimit, me synimin që projekti të vijojë përmes kredive të miratuara më herët.

Dokumenti parashikon edhe ndryshimin e strukturës zbatuese të projektit, duke caktuar një institucion tjetër që do të jetë përgjegjës për zhvillimin e procedurave të tenderimit për ndërtimin e linjës hekurudhore.

Në Kuvend janë dorëzuar dy projektligje që heqin referencën se projekti financohet pjesërisht nga fondet IPA, duke reflektuar zyrtarisht humbjen e grantit evropian.

Linja hekurudhore drejt Bullgarisë është pjesë e Korridorit VIII, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në rajon, që synon të përmirësojë lidhjen hekurudhore mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu