Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka mohuar ekzistencën e një marrëveshjeje në parim me Lidhjen Demokratike të Kosovës për formimin e institucioneve të reja, pas raportimeve se dy partitë kanë arritur një dakordësi fillestare për bashkëqeverisje.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes dhe deputeti i zgjedhur i LVV-së, Ejup Maqedonci, tha se nuk ka informacion për marrëveshjen, por nuk e përjashtoi një zhvillim të tillë.

“Unë nuk kam ndonjë informacion për këtë çështje, prandaj nuk mund ta mohoj e as ta pohoj. E di që përpjekjet do të vazhdojnë dhe kryeministri nuk do të ndalet derisa të gjendet një zgjidhje”, deklaroi Maqedonci.

Edhe zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Arlind Manxhuka, shmangu një përgënjeshtrim, duke theksuar se Vetëvendosje mbetet e hapur për marrëveshje.

“Ne përpiqemi maksimalisht. Jemi aktivë e konstruktivë për takime dhe bashkëbisedime, të hapur e të sinqertë për marrëveshje. Shpresojmë që opozita nuk do të barrikadohet kundër dhe të na çojë në zgjedhje përsëri”, u shpreh ai.

Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, LDK do të përfshihej në qeverinë e re duke marrë postin e zëvendëskryeministrit të parë, tre ministri dhe drejtimin e Kuvendit.

Megjithatë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se ka pezulluar negociatat me Vetëvendosjen, pasi brenda partisë së tij është iniciuar një nismë për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit.

Politologu Valon Murati vlerëson se zhvillimet e brendshme në LDK e bëjnë të pasigurt finalizimin e një marrëveshjeje, duke theksuar se mungesa e kohezionit në parti dhe balanca e brishtë e numrave në Kuvend mund të vështirësojnë krijimin e qeverisë së re.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu