
Arben Kola, një nga organizatorët e protestës së zhvilluar në Tiranë, është liruar nga Komisariati nr. 1 pas shoqërimit nga policia.
Pas daljes nga ambientet e policisë, Kola deklaroi se u shoqërua teksa po bënte thirrjet e zakonshme të protestës, duke pretenduar se shkak u bënë sloganet kundër kryeministrit Edi Rama.
“Po bëja thirrjet tona të zakonshme: ‘Ju me gaz, ne me vezë’ dhe ‘Edi Rama i pabesë’. Si duket u bënë xhelozë”, u shpreh ai.
Sipas Kolës, efektivët nuk i dhanë një shpjegim të qartë për arsyen e shoqërimit.
“Ata nuk thanë asgjë konkrete. Përdorën justifikimet e zakonshme me ligjin, siç policia bën për të shantazhuar protestuesit. Nuk u ushtrua presion ndaj meje”, deklaroi aktivisti.
Kola këmbënguli se shoqërimi i tij lidhej vetëm me mesazhet e protestës dhe jo me ndonjë shkelje ligjore të kryer gjatë tubimit.






