Partia Demokratike, Partia e Lirisë dhe Aleanca për Ndryshim kanë deklaruar se mbështesin marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara për financimin e pajisjeve ushtarake, por kundërshtojnë mënyrën se si mazhoranca po kërkon ta miratojë në Kuvend.

Në një deklaratë të përbashkët, grupet parlamentare të opozitës shprehen se Shqipëria duhet të rrisë investimet në mbrojtje dhe të përmbushë angazhimet ndaj NATO-s, por theksojnë se marrëveshje të tilla strategjike duhet të kalojnë me transparencë dhe në respekt të Kushtetutës.

Sipas opozitës, qeveria ka pasur pesë javë kohë për ta dërguar marrëveshjen në Kuvend, pasi ajo është miratuar në parim më 19 qershor, ndërsa tani po kërkon miratimin e saj me procedurë të përshpejtuar.

PD, PL dhe Aleanca për Ndryshim bëjnë të ditur se kanë propozuar që marrëveshja të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar, por votimi përfundimtar të zhvillohet në një seancë të posaçme të premten, duke garantuar se deputetët e opozitës do ta votojnë pro.

Sipas deklaratës, kryetari i Kuvendit kishte rënë dakord në parim me këtë zgjidhje, por më pas, sipas opozitës, propozimi u bllokua nga kryeministri Edi Rama.

Opozita akuzon mazhorancën se po e përdor marrëveshjen me SHBA për të justifikuar shkeljen e procedurave kushtetuese, ndërsa kërkon që Kuvendi të respektojë afatet dhe standardet ligjore në ratifikimin e saj.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu