
Një fenomen atmosferik i njohur si “Omega Block” po qëndron pas valës së fortë të të nxehtit që ka përfshirë Europën Perëndimore, ku temperaturat kanë kaluar 40 gradë Celsius dhe vetëm në Francë janë raportuar mbi 40 viktima të lidhura me vapën ekstreme.
Sipas ekspertëve, “Kupola Omega” merr emrin nga forma që krijon në hartat meteorologjike, e ngjashme me shkronjën greke Ω. Ajo formohet kur një masë e fuqishme ajri të nxehtë dhe me presion të lartë bllokohet mes dy sistemeve me presion të ulët, duke penguar lëvizjen normale të fronteve atmosferike.
Si pasojë, ajri i nxehtë mbetet i “ngujuar” mbi të njëjtën zonë për ditë apo edhe javë të tëra, duke sjellë temperatura shumë të larta, qiell të kthjellët dhe mungesë reshjesh.
Meteorologët shpjegojnë se gjatë këtij fenomeni presioni i lartë pengon formimin e reve, duke lejuar që rrezatimi diellor të ngrohë vazhdimisht sipërfaqen e tokës. Ndërkohë, zonat në skajet e sistemit përballen me mot më të freskët dhe reshje.
Shkencëtarët nuk kanë ende një konsensus të plotë nëse ndryshimet klimatike po rrisin frekuencën e fenomeneve të tilla, por bien dakord se ngrohja globale po i bën valët e të nxehtit më intensive. Sipas studiuesve, Europa po përjeton tashmë valë të nxehti 2 deri në 4 gradë më të larta se sa do të ishin pa ndikimin e aktivitetit njerëzor dhe emetimeve të gazeve serrë.
Ekspertët paralajmërojnë se kombinimi i “Kupolës Omega” me ngrohjen globale mund të sjellë episode edhe më ekstreme të vapës në vitet e ardhshme, duke rritur rrezikun për shëndetin e njerëzve, bujqësinë dhe furnizimin me ujë.



