
Pushimet verore në brigjet e Europës po shoqërohen me një paralajmërim të ri shëndetësor. Ekspertët po monitorojnë përhapjen e bakterit Vibrio vulnificus, i njohur ndryshe si “bakteri mishngrënës”, i cili mund të shkaktojë infeksione të rënda tek njerëzit. Fenomeni lidhet me rritjen e temperaturave të ujërave detare si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Sipas specialistëve, bakteri zhvillohet në ujëra të ngrohta dhe me kripësi të ulët, veçanërisht në zona ku përzihen ujërat e ëmbla me ato të detit. Temperaturat e larta që po godasin Europën këtë verë po krijojnë kushte më të favorshme për përhapjen e tij.
Infektimi mund të ndodhë kur një person hyn në det me plagë të hapura ose përmes konsumit të produkteve të detit të papërpunuara, veçanërisht gocave të detit. Në rastet më të rënda, bakteri mund të shkaktojë infeksione të thella të indeve, sepse dhe komplikacione serioze tek personat me imunitet të dobët ose sëmundje kronike.
Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka paralajmëruar se rastet e infeksioneve nga Vibrio janë shtuar gjatë viteve të fundit, veçanërisht në periudhat e valëve të të nxehtit. Autoritetet shëndetësore theksojnë se bakteri është ende relativisht e rrallë në Europë, por rreziku po rritet me ngrohjen e ujërave bregdetare.
Ekspertët këshillojnë pushuesit të shmangin hyrjen në det nëse kanë plagë të hapura, të mbulojnë dëmtimet e lëkurës dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse pas larjes në det shfaqen skuqje, ënjtje ose infeksione të pazakonta.
Rritja e temperaturave në Mesdhe dhe në brigjet e Europës Perëndimore po lidhet gjithnjë e më shumë me përhapjen e baktereve të tilla, ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë se fenomeni mund të bëhet më i shpeshtë në vitet e ardhshme.






