
Vjosa Osmani ka konfirmuar rikthimin e saj në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa bashkëpunimi është miratuar zyrtarisht nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, propozoi para Këshillit që Osmani të jetë bartëse e listës dhe njëkohësisht kandidate për presidente, propozim që mori mbështetjen e strukturave të partisë.
Sipas Abdixhikut, Osmani do të hyjë në listën zgjedhore së bashku me 19 kandidatë të tjerë për deputetë, ndërsa ai u shpreh i hapur edhe për bashkëpunime të tjera politike.
Ndërkohë, vetë Osmani deklaroi se rikthimi i saj në LDK erdhi pas kërkesave dhe mbështetjes së qytetarëve.
Në një video të publikuar në Facebook, ajo tregoi mesazhe nga qytetarë që i kërkonin të rikthehej në LDK.
“Për muaj të tërë kam ecur nëpër çdo cep të Kosovës. Jam mirëpritur në shtëpitë tuaja. Kam dëgjuar hallet tuaja. Kam parë zhgënjimet në sytë e njerëzve të ndershëm. Por mbi të gjitha kam parë një gjë që ende nuk është shuar: shpresën”, shprehet Osmani në video.
“Ju dëgjova, prandaj po bashkohemi”, shton ajo.
Takimi i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së u zhvillua në një ambient ku zakonisht mblidhen numër i madh pjesëmarrësish, ndërsa aktiviteti u konsiderua si një moment i rëndësishëm për bashkimin politik mes LDK-së dhe Vjosa Osmanit.
Lëvizja politike vjen në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit në Kosovë.



