Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë deklaratat e opozitës se procesi i integrimit europian të Shqipërisë është bllokuar për shkak të mosmiratimit të raportit të IBAR nga disa shtete anëtare të Bashkimit Europian.

Në një konferencë për shtyp në Ditën e Europës, së bashku me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Rama tha se Shqipëria negocion me Komisionin Europian dhe jo drejtpërdrejt me shtetet anëtare.

“Sot në Bruksel nuk negocion Shqipëria me Bashkimin Europian, por diskuton Komisioni Europian me shtetet anëtare. Shqipëria negocion me Komisionin, nuk negocion me shtetet. Komisioni përfaqëson shtetet në negociatat me Shqipërinë”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se Komisioni Europian i konsideron të përmbushura detyrat e Shqipërisë për fazën aktuale të negociatave dhe tani diskutimet zhvillohen mes Komisionit dhe vendeve anëtare.

“Të thuash këtu u bllokua nga X-i apo nga Y-i është të shesësh ajër dhe kush beson se ajri blihet, e blen”, u shpreh kryeministri.

Rama deklaroi gjithashtu se mazhoranca është e gatshme të ulet me opozitën për reformën zgjedhore dhe reformën territoriale, por pa dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë për propozimin e opozitës mbi sistemin proporcional kombëtar.

Debati për raportin e IBAR është kthyer në një nga temat kryesore politike ditët e fundit, pas akuzave të opozitës për bllokim të procesit të integrimit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu