Partia Demokratike ka shpallur rezultatet paraprake të referendumit për konfirmimin e Sali Berishës në krye të partisë.

Deputetja Albana Vokshi deklaroi se në proces morën pjesë 39,441 anëtarë demokratë në të gjithë vendin, ndërsa Sali Berisha u konfirmua me 37,341 vota pro.

Sipas Vokshit, procesi u zhvillua në 77 degë të Partisë Demokratike dhe në 87 qendra votimi, duke e cilësuar atë transparent, të qetë dhe të monitoruar nga mediat.

“Nga rezultatet paraprake të procesit kemi si më poshtë: numri total i pjesëmarrësve është 39,441. Nga këto, vota të vlefshme 38,902. Vota të pavlefshme 539. Nga votat e vlefshme, vota pro kryetarit Sali Berisha 37,341. Vota kundër 1,055. Vota abstenim 506”, deklaroi Vokshi.

Në përfundim të deklaratës së saj, ajo uroi Berishën për rikonfirmimin në krye të Partisë Demokratike.

“Suksese kryetarit Sali Berisha për rikonfirmimin e tij në detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike”, tha Vokshi.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka falënderuar demokratët për votëbesimin në referendumin e zhvilluar për drejtimin e partisë, duke e cilësuar atë një “votëbesim masiv”.

Në deklaratën e tij pas shpalljes së rezultateve, Berisha shprehu mirënjohje jo vetëm për mbështetësit, por edhe për ata që votuan kundër apo abstenuan.

“Jam këtu para së gjithash për të shprehur mirënjohjen time më të pakufishme, nderimin më të thellë për të gjithë ata demokrate e demokratë, që sot votuan për riafirmimin tim në një votëbesim masiv në krye të Partisë Demokratike”, tha Berisha.

Ai theksoi se edhe vota ndryshe do të konsiderohet si një mesazh për reflektim dhe përmirësim.

“Një mirënjohje e veçantë shkon edhe për ata që votuan ndryshe. I garantoj se vota e tyre ndryshe, apo kundër, abstenim qoftë, do mbahet shënim në kuptimin e asaj që do bëj gjithçka për t’u dhënë përgjigje më të mirë atyre hezitimeve apo vërejtjeve”, u shpreh kreu i PD-së.

Berisha e cilësoi Partinë Demokratike një familje politike të ndërtuar mbi diversitetin dhe standardin demokratik.

“Jemi një familje e mbrujtur në palcë, në qelizë me diversitetin, me standardin demokratik”, deklaroi ai.

Në fund të fjalës së tij, Berisha falënderoi komisionerët, drejtuesit politikë të qarqeve, kryetarët e degëve dhe strukturat e partisë për organizimin e procesit të votimit në të gjithë vendin.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu