Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Ekrem Selimin dhe Fatlum Zogajn, të ndaluar pas tensioneve të protestës së 5 tetorit në kryeqytetin e Kosovës.

Vendimi lidhet me incidentin ku u përfshi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, i cili gjatë protestës u kap nga disa persona dhe u kthye brenda rrethojave të Kuvendit. Prokuroria e ka cilësuar rastin si “sulm ndaj personit zyrtar”.

Ekrem Selimi është anëtar i Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe u ndalua pas protestës.

Ndërsa Zogaj dyshohet se është përfshirë drejtpërdrejt në incidentin me deputetin Rexhepi. Ai ishte ndaluar fillimisht për 48 orë, ndërsa Prokuroria kërkoi më pas caktimin e masës së paraburgimit.

Pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata vendosi që të dy të qëndrojnë në paraburgim për 30 ditë.

Incidenti ndodhi gjatë protestave të zhvilluara para Kuvendit të Kosovës, ku qytetarët dhe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kërkojnë miratimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Tensionet e 5 tetorit u shoqëruan me përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa protestat kanë vijuar edhe një ditë më pas në Prishtinë.

Personat e ndaluar konsiderohen të pafajshëm derisa përgjegjësia e tyre të përcaktohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu