
Filmi biografik për Michael Jackson ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në kinematë botërore, duke vendosur rekordin për fundjavën më të mirë të hapjes për një film biografik.
Filmi “Michael”, ku rolin e këngëtarit e interpreton Jaafar Jackson, ka arkëtuar 217 milionë dollarë globalisht që nga debutimi.
Ky rezultat ka lënë pas rekordin e mëparshëm të Bohemian Rhapsody, si dhe ka kaluar edhe suksesin e Oppenheimer, duke u bërë hapja më e madhe për një film biografik të çdo zhanri.
Megjithatë, reagimet kanë qenë të ndara: ndërsa publiku e ka vlerësuar lart, kritikët kanë shprehur rezerva, duke e cilësuar filmin si një portretizim të “pastruar” të jetës së artistit.
Filmi fokusohet kryesisht te karriera muzikore e Jackson dhe marrëdhënia me familjen, duke shmangur përmendjen e akuzave për abuzim seksual ndaj tij, çështje për të cilat ai u shpall i pafajshëm në vitin 2005.
Me një buxhet prej rreth 200 milionë dollarësh, “Michael” renditet ndër biografitë më të shtrenjta të realizuara ndonjëherë, ndërsa pritet të vazhdojë suksesin edhe në tregje të tjera ku ende nuk është shfaqur.






