Një tregtar në Mitrovicë ka zgjedhur një mënyrë simbolike për të shprehur pakënaqësinë e tij pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.

Bekim Zeneli, pronar i një dyqani veshjesh, ka vendosur në hyrje të biznesit një tabelë ku shkruhet se hyrja është e ndaluar për pjesëtarët e EULEX-it dhe UNMIK-ut. Njoftimi është vendosur në shqip, anglisht dhe polonisht.

Zeneli tha për KosovaPress se veprimi ishte një reagim simbolik dhe shprehje e zhgënjimit të tij pas vendimit të Hagës.

“Kjo është më shumë simbolike… me shpreh vetëm pakënaqësinë e kësaj që ka ndodhur atje”, u shpreh ai.

Tregtari sqaroi se tabela nuk nënkupton se do t’u ndalojë realisht hyrjen pjesëtarëve të misioneve ndërkombëtare. Sipas tij, ajo është vetëm një mënyrë për të shprehur pakënaqësinë personale.

Zeneli tha gjithashtu se e njeh rolin që ndërkombëtarët kanë pasur në Kosovë dhe ndihmën e tyre gjatë dhe pas luftës, por argumentoi se aktgjykimi i Hagës e ka zhgënjyer dhe, sipas tij, mund të ketë pasoja për mënyrën se si perceptohet Kosova në të ardhmen.

Reagimi vjen një ditë pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, i cili ka shkaktuar protesta dhe reagime të shumta në Kosovë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu