Protesta e zhvilluar këtë të enjte pranë Kuvendit është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes tubuesve dhe forcave të policisë.

Pas rreth një ore qëndrimi pranë Parlamentit, një pjesë e protestuesve u zhvendosën drejt Ministrisë së Brendshme dhe bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku u përballën me kordonin e policisë.

Në afërsi të Ministrisë së Brendshme, disa protestues goditën me vezë efektivët, ndërsa pati edhe përplasje verbale. Policia shoqëroi të paktën një protestues.

Tensionet u shtuan më tej kur tubuesit tentuan të hiqnin gardhin metalik të vendosur nga policia. Një pjesë e barrierës u dëmtua pasi u tërhoq me forcë nga protestuesit.

Më pas protesta u zhvendos sërish në disa prej akseve pranë Kuvendit. Policia u bëri thirrje pjesëmarrësve të lironin rrugën, duke paralajmëruar ndërhyrjen e kordonit policor në rast mosbindjeje.

Tubimi po zhvillohet paralelisht me seancën plenare të Kuvendit, ndërsa që prej mëngjesit policia kishte shtuar praninë dhe kishte vendosur barriera metalike në akset që të çojnë drejt Parlamentit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu