
Një atentat i rëndë me armë zjarri është shënuar në zonën e Balldrenit në Lezhë, ku një automjet tip “Audi Q7” është qëlluar me breshëri plumbash, duke shkaktuar vdekjen e Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortes së tij.
Sipas të dhënave paraprake, autorët dyshohet se kanë vepruar në mënyrë të organizuar, duke përdorur dy automjete për të realizuar sulmin dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.
Mujeci rezulton një emër i njohur për drejtësinë, pasi ai dhe kushëriri i tij, Jozef Mujeci, ishin hetuar për vrasjen e Gegë Mhillaj në vitin 2016. Megjithatë, ata u shpallën të pafajshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër në vitin 2018, vendim që u la në fuqi edhe nga Apeli në 2019.
Më vonë, në vitin 2024, Gjykata e Lartë e Shqipërisë vendosi kthimin e çështjes për rigjykim, duke e mbajtur të hapur dosjen.
Aktualisht, policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të atentatit, identifikimin e autorëve dhe sqarimin e motiveve të mundshme.






