
Ka përfunduar pas rreth dy orësh mbledhja e kryeministrit Edi Rama me ministrat dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në qarqe.
Takimi nisi pak para orës 18:00 dhe u zhvillua në rezidencën qeveritare pranë fshatit Sos. Fillimisht ishte parashikuar të mbahej në selinë e PS-së, por vendi u ndryshua pasi protestuesit kishin bërë thirrje për t’u grumbulluar aty dhe për të goditur me vezë drejtuesit socialistë.
Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura dhe kishte karakter politik e organizativ. Rama kërkoi që ministrat dhe strukturat e PS-së të zbresin menjëherë në terren, të zhvillojnë takime në të gjitha qarqet dhe të adresojnë me zgjidhje konkrete shqetësimet e qytetarëve.
Në takim mori pjesë edhe drejtuesi i AKSHI-t, për koordinimin e programeve që lidhen me platformën “Pasqyrë Albania”. Në fokus ishin gjithashtu projektet “Besa” dhe “Prania Besnike”, të paraqitura si pjesë e një modeli të ri komunikimi ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve.
Për ndjekjen e tyre pritet të angazhohen drejtpërdrejt ministrat, ndërsa secila ministri do të delegojë një zëvendësministër për zbatimin dhe komunikimin përmes platformave të reja.
Mbledhja erdhi pas takimeve dyditore në Pogradec dhe protestave të zhvilluara në Tiranë. Të shtunën pritet të mbahet edhe një takim informal me deputetët socialistë të kryeqytetit, në sfondin e zhvillimeve të fundit në Bashkinë e Tiranës.
Asambleja e Partisë Socialiste pritet të mblidhet gjatë javëve të para të shtatorit.






