
Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një kompleks banimi pranë zonës së njohur si “Farmacia 10” në Tiranë, duke lënë pas dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas të dhënave paraprake, flakët dyshohet se kanë nisur në katin e parë të një ambienti biznesi dhe janë përhapur me shpejtësi në fasadën e ndërtesës, duke prekur rreth 30 apartamente.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë një situatë të rëndë, me strukturën e pallatit të nxirë, mbetje të djegura dhe tym që vijon të dalë edhe pas neutralizimit të flakëve.
Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, bëri të ditur se 6 persona janë trajtuar në spital, mes tyre edhe 4 zjarrfikës. Një qytetar dhe efektivët janë dërguar në toksikologji për shkak të asfiksisë, ndërsa një banore ka pësuar djegie në rreth 15% të trupit.
Fatmirësisht, të gjithë të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në operacionin për shuarjen e zjarrit u angazhuan 8 mjete zjarrfikëse, rreth 50 forca nga ushtria dhe emergjencat civile, si dhe 2 helikopterë Cougar që ndërhynë nga ajri.
Ndërkohë, shkaqet e zjarrit mbeten ende nën hetim.






