Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar një video ku shfaqen disa persona të shtrirë në tokë, duke pretenduar se bëhet fjalë për studentë të arrestuar që po trajtohen në mënyrë çnjerëzore brenda ambienteve të policisë. Policia ka mohuar zyrtarisht që pamjet të jenë filmuar në një komisariat.

Në reagimin që shoqëron videon, Berisha akuzon policinë për dhunë ndaj të rinjve të ndaluar gjatë protestave që prej tri ditësh kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të vendit.

“Pamje horror. Torturë kolektive ndaj studentëve të arrestuar në narko-komisariat! Fytyra e vërtetë e narko-shtetit të padrinos! Krim monstruoz!”, shkruan kreu i opozitës.

Por policia kundërshton pretendimin e Berishës për vendin ku është regjistruar videoja, duke mohuar se bëhet fjalë për pamje nga ambientet e një komisariati.

Ndërkohë, burime thanë për emisionin “Opinion” se videoja mund të tregojë momentin e neutralizimit të disa protestuesve, pak sekonda pas arrestimeve të kryera pranë Ministrisë së Arsimit.

Ky version mbetet ende për t’u konfirmuar, ndërsa nuk është sqaruar përfundimisht vendi dhe konteksti i regjistrimit të pamjeve.

Publikimi i videos vjen pas një dite tjetër protestash të shoqëruara me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, dëmtime institucionesh dhe shoqërime të shumta në polici.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu