Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane (PPE), që po zhvillohet në Vjenë, ku paraqiti situatën politike në Shqipëri dhe kërkoi mbështetjen e partnerëve europianë për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Berisha falënderoi drejtuesit e PPE-së për vizitën në Shqipëri, duke vlerësuar raportin e hartuar pas misionit faktmbledhës si një dokument që, sipas tij, pasqyron realitetin në vend.

Në fjalën e tij, kreu i PD-së deklaroi se Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë politike dhe institucionale, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka deformuar procesin zgjedhor përmes përdorimit të administratës shtetërore, faljes së gjobave dhe ndikimit të krimit të organizuar.

Sipas Berishës, zgjidhja për tejkalimin e kësaj situate është krijimi i një qeverie teknike që do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ai foli edhe për protestën qytetare që po zhvillohet prej një muaji në Tiranë, duke theksuar se ajo nuk është protestë partiake, por një reagim i gjerë qytetar.

Berisha hodhi poshtë pretendimet se protesta mbështetet ose organizohet nga Irani, duke deklaruar se pjesëmarrësit janë qytetarë që kërkojnë zgjedhje të lira dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë fjalës së tij, Berisha përsëriti akuzat ndaj qeverisë për lidhje me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, duke e cilësuar Shqipërinë “narco-shtet”. Ai tha se paratë e drogës po ndikojnë në ekonominë shqiptare, në tregun e ndërtimit dhe në rritjen e kostos së jetesës.

Në përfundim, Berisha kërkoi nga PPE organizimin e një konference në Tiranë mbi trafikun e drogës dhe ndikimin e tij në sigurinë e rajonit, ndërsa u bëri thirrje partnerëve europianë të vijojnë mbështetjen për opozitën dhe protestën qytetare në Shqipëri.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu