
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zv.kryeministres Belinda Balluku lidhur me dy TEC-et lundruese të vendosura në Vlorë, të njohura si “Tigrat”.
I pyetur për pretendimet se për operimin dhe mirëmbajtjen e dy TEC-eve gjatë dy viteve të ardhshme kërkohet një kontratë me vlerë 23 milionë dollarë, Berisha pretendoi se pas projektit qëndrojnë Rama dhe Balluku.
“Lubia e korrupsionit është autorja e Tigrave, bashkë me Edi Ramën. Nga ato monstra të vendosura në brigjet e Vlorës, Edi Rama dhe Lubi Balluku përfitojnë dhjetëra e dhjetëra milionë euro”, deklaroi Berisha.
Kreu demokrat pretendoi se dy TEC-et janë mbajtur në Vlorë për të vijuar, sipas tij, përfitimet financiare, ndërsa akuzoi SPAK-un se nuk po heton çështjen.
“Dora e Ramës dhe Lubisë janë vetëm ato dhe askush tjetër. SPAK është faktuar instrument ose organizatë e PS. Nuk mund të hetojë”, tha Berisha.
Ai iu referua gjithashtu hetimeve ndaj Ballukut, duke pretenduar se përpjekja e një prokurori për ta hetuar atë është penguar.
Deklaratat e Berishës janë akuza politike dhe në materialin e shpërndarë për mediat nuk paraqiten prova që vërtetojnë pretendimet për përfitime financiare nga Rama apo Balluku.






