Transmetuesi publik britanik BBC ka njoftuar se do të shkurtojë deri në 2,000 vende pune gjatë dy viteve të ardhshme, në përpjekje për të reduktuar kostot operative me rreth 575 milionë euro.

Sipas drejtorit të përkohshëm të përgjithshëm, Rhodri Talfan Davies, organizata përballet me presione të mëdha financiare dhe duhet të ndërmarrë masa të shpejta për të balancuar buxhetin. Shkurtimet pritet të jenë nga 1,800 deri në 2,000 vende pune.

BBC synon të kursejë rreth 500 milionë paund nga një buxhet total prej 5 miliardë paundësh, me pjesën më të madhe të kursimeve që do të realizohen në vitet 2027–2028. Ky konsiderohet si raundi më i madh i shkurtimeve në gati 15 vite.

Kompania po përballet me sfida të reja në tregun mediatik, të lidhura me ndikimin e inteligjencës artificiale dhe ndryshimet në mënyrën se si konsumohen lajmet. Një tjetër faktor është rënia e të ardhurave nga tarifa e licencës, e cila ka rënë me 24% në terma realë që nga viti 2017.

Në të njëjtën kohë, BBC është përfshirë edhe në një përplasje ligjore me Donald Trump, i cili ka ngritur një padi prej 10 miliardë dollarësh për shpifje lidhur me një dokumentar.

Nga muaji i ardhshëm, drejtimin e BBC do ta marrë ish-ekzekutivi i Google, Matt Brittin, i cili pritet të udhëheqë transformimin e institucionit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu