
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla iu përgjigj në Kuvend, pretendimeve të opozitës për bllokim të negociatave, duke thënë se bien ndesh me raportet zyrtare të institucioneve europiane. Ai deklaroi se Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet e ndërmjetme të procesit të integrimit dhe se objektivi për anëtarësim deri në vitin 2030 mbetet real sipas vlerësimeve të zyrtarëve të lartë të BE. Balla kritikoi opozitën për, siç u shpreh, sulme të vazhdueshme ndaj vendit dhe kërkoi bashkëpunim në këtë moment kyç, duke i ftuar të bëhen pjesë e procesit dhe të mbështesin rrugën europiane.
Fjala e plotë
Zoti Kryetar, kolegë deputetë, në Kuvendin e Shqipërisë ka mbërritur raporti vjetor i qeverisë lidhur me ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, bashkuar këtu dhe raporti i tre muajve të parë të vitit 2026. Ajo që duhet t’ua themi me shumë krenari shqiptarëve, nuk është shpresa apo mallkimet e atyre që përditë mundohen të thonë që negociatat kanë ngecur që Shqipëria është bllokuar, është fakt.
Nga Komisioni Europian. Nga Parlamenti Europian. dhe nga Këshilli Europian, nga të treja institucionet europiane, se Shqipëria sot ka përmbushur të gjitha detyrimet që vijnë nga procesi i anëtarësimit të Shqipërisë sonë të përbashkët në Bashkimin Europian, të gjitha piketat e ndërmjetme, detyrimet që kishte Shqipëria, sipas raportit të Komisionit Europian, janë përmbushur.
Ka një procedurë që të gjithë e dimë e cila nga Komisioni kalon tek Këshilli, nga Këshilli tek vendet anëtare, dhe një gjë është e sigurtë, që brenda fundit të majit apo fillimit të qershorit, sikurse u komunikua pardje nga komisionera Kos, dhe dje nga zëvendëspresidentja dhe komisionerja e lartë Kaja Kallas, se pritshmëria e Shqipërisë për të përmbyllur procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda vitit 2030 është shumë realiste, madje po citoj këtu komisioneren Kallas, e cila tha që Shqipëria, bashkë me Malin e zi, duhet të bëhen gati për të marrë pjesë në zgjedhjet europiane të vitit 2029. Ky është fakt.
Sa i përket gjithë këtyre gjithë këtyre email-eve që the, habereve që the, ne e dimë fare mirë ajo që bëni ju. Dhe miqësisht, hiqni dorë nga gjithë kjo baltë që hidhni kundër Shqipërisë. Nuk e keni Shqipërinë vend armik, po jeni pjesë e pazëvendësueshme e demokracisë së vendit tonë; ne nuk ju zgjedhim dot ju, as ju nuk na zgjidhni dot ne. Por është momenti i duhur historik që të punojmë gjithë së bashku për ta çuar këtë aspiratë historike të shqiptarëve pas 35 vjetësh punë të përbashkët. Në shumicë, por nuk ju bën nder aspak që të shani nga mëngjesi në darkë Shqipërinë. Ejani dhe lexojeni me vëmendje raportin që do të miratojë Parlamenti Europian në AFET në datë 5 maj, ku ju bën ju një thirrje për t’u bërë pjesë e të gjitha proceseve. Ne kemi gatishmërinë, punojmë me ju për gjithçka. Por edhe ju duhet të merrni përgjegjësi që ju takojnë. Faleminderit, zoti Kryetar.






