
Shqipëria ka regjistruar një nga bilancet më negative të emigracionit në Europë gjatë 35 viteve të fundit. Sipas të dhënave të Eurostat, nga viti 1990 deri në vitin 2025, rreth 1.8 milionë persona më shumë janë larguar nga vendi sesa janë rikthyer.
Statistikat tregojnë se Shqipëria ka pasur bilanc negativ migracioni në çdo vit të kësaj periudhe, duke humbur vazhdimisht popullsi. Sipas ekspertëve, ky fenomen ka ndikuar rëndë në treguesit demografikë dhe fuqinë punëtore të vendit.
Vala më e madhe e emigracionit u shënua në dekadën e parë të tranzicionit. Vetëm gjatë viteve 1990-2001, bilanci negativ arriti në rreth 785.7 mijë persona, me një mesatare prej 65 mijë emigrantësh neto në vit.
Vitet më kritike ishin 1991, me 123,619 largime neto, 1995 me 118,022, 1997 me 107,503 dhe 1999 me 105,229 persona më shumë të larguar sesa të kthyer. Emigracioni masiv u nxit nga rrëzimi i regjimit komunist, kriza ekonomike dhe ngjarjet e vitit 1997.
Në periudhën 2002-2013 ritmi i largimeve u ngadalësua, por mbeti i lartë. Bilanci negativ i migracionit arriti në rreth 391 mijë persona, me një mesatare prej afro 33 mijë emigrantësh neto në vit.
Sipas të dhënave të Eurostat, fenomeni nuk është zbutur as në dekadën e katërt të tranzicionit. Përkundrazi, pas pandemisë ritmet e emigracionit janë përshpejtuar sërish, duke e mbajtur Shqipërinë mes vendeve me humbjen më të madhe të popullsisë nga migracioni.






