
Shqipëria mund të përmbyllë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian në vitin 2027, të nënshkruajë traktatin e anëtarësimit në vitin 2028 dhe të bëhet anëtare me të drejta të plota deri në vitin 2030.
Këtë perspektivë e prezantoi komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, pas përfundimit të Samitit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor në Tiranë.
Kos bëri të ditur se Brukseli pret mbylljen e përkohshme të pesë kapitujve të tjerë negociues deri në fund të këtij viti, ndërsa ecuria e reformave dhe miratimi i vendeve anëtare do të përcaktojnë ritmin e mëtejshëm të procesit.
### Shqipëria përfiton 15% më shumë financime
Komisionerja njoftoi se Shqipëria ka përmbushur 80% të reformave të parashikuara në kuadër të Planit të Rritjes dhe do të përfitojë 185,6 milionë euro nga kësti i ardhshëm.
Mali i Zi, me 94% të reformave të realizuara, do të përfitojë 81 milionë euro, ndërsa Maqedonia e Veriut, me 56%, do të marrë 70,9 milionë euro.
Për shkak të rezultateve të arritura, Komisioni Europian do të rrisë me 15% financimin për Shqipërinë dhe Malin e Zi, ndërsa për Maqedoninë e Veriut rritja do të jetë 10%. Pagesat shtesë pritet të realizohen gjatë vitit 2027.
### Fundi i trajtimit të Ballkanit si një grup
Një prej mesazheve më të rëndësishme politike të komisioneres ishte ndryshimi i qasjes së Brukselit ndaj gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kos deklaroi se konceptit të trajtimit të rajonit si një grup i vetëm në procesin e anëtarësimit po i vjen fundi dhe se përparimi individual i secilit vend do të përcaktojë si ritmin e integrimit, ashtu edhe financimet europiane.
“Zgjedhjet politike të secilit vend do të përcaktojnë ritmin me të cilin ai vend do të ecë drejt BE-së”, deklaroi Kos.
Ajo paralajmëroi gjithashtu se në buxhetin europian për periudhën 2028–2034 parashikohen instrumente të unifikuara financimi, që do të zëvendësojnë instrumentin IPA dhe Planin e Rritjes.
### Tregu europian dhe përfitimet për qytetarët
Bashkimi Europian po shqyrton mundësinë e hapjes së sektorëve të tjerë të tregut të përbashkët për vendet kandidate, përfshirë energjinë, transportin dhe teknologjinë digjitale, si dhe afrimin e vendeve më të avancuara me institucionet europiane përpara anëtarësimit.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se gjatë 11 muajve të integrimit të Shqipërisë në sistemin europian të pagesave janë kryer 788 mijë transaksione, me një vlerë prej 8,7 miliardë eurosh.
Sipas tij, qytetarët dhe bizneset shqiptare kanë kursyer 20 milionë euro, ndërsa potenciali i kursimeve arrin deri në 71 milionë euro në vit.
Rama njoftoi gjithashtu se negociatat për reduktimin e tarifave të roaming-ut kanë nisur në tetor, me synimin që qytetarët shqiptarë të përfitojnë tarifa më të ulëta gjatë vitit 2027.
### Rama: Dera e Europës është e hapur, duhet të nxitojmë
Kryeministri deklaroi se Shqipëria nuk kërkon tolerime apo lehtësime në përmbushjen e kushteve të anëtarësimit, duke e konsideruar procesin e integrimit një instrument për modernizimin e shtetit dhe konsolidimin e institucioneve.
“Ne nuk kërkojmë absolutisht asnjë dhuratë, nuk kërkojmë asnjë by-pass, nuk kërkojmë asnjë mbyllje të syve. Ne kërkojmë vetëm të marrim maksimumin e detyrave dhe t’i plotësojmë ato në maksimum”, tha Rama.
Ai paralajmëroi se Shqipëria duhet të shfrytëzojë momentin e favorshëm gjeopolitik, pasi rrethanat ndërkombëtare mund të ndryshojnë.
“Jemi më afër se asnjëherë, por çdo ditë ne duhet të punojmë sikur jemi më larg se asnjëherë”, u shpreh kryeministri.
### Drejtësia dhe sundimi i ligjit mbeten prioritare
Komisionerja Kos renditi sundimin e ligjit, reformën në drejtësi dhe legjislacionin mjedisor ndër prioritetet e Shqipërisë për përmbylljen e negociatave.
Ajo kërkoi një sistem gjyqësor të fortë, efektiv dhe të pavarur, si dhe përfshirje më të gjerë të opozitës dhe shoqërisë civile në procesin e integrimit.
Gjatë vitit 2027, Komisioni Europian dhe qeveria shqiptare pritet të intensifikojnë komunikimin me shtetet anëtare, për të siguruar mbështetjen e tyre për përmbylljen e negociatave.
### Mesazhi i Kos për 28 Nëntorin
Në përfundim të konferencës, komisionerja uroi shqiptarët për Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë, duke vlerësuar transformimin e vendit nga izolimi komunist drejt anëtarësimit në NATO dhe perspektivës së anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Orientimi pro-europian i qytetarëve shqiptarë është më i larti në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Kos.






