
Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për rastin e abuzimit seksual ndaj një vajze 13-vjeçare nga Shkodra, për të cilin janë arrestuar dy persona, ndërsa në total shtatë persona janë nën hetim.
Gazetarja Glidona Daci, në emisionin “Opinion” në TV Klan, ka bërë të ditur se e mitura kishte krijuar kontakte me persona të rritur përmes rrjetit social Snapchat dhe kishte udhëtuar në disa qytete të Shqipërisë.
Denoncimi për largimin e vajzës nga banesa ishte bërë nga nëna e saj. Policia arriti të identifikonte një taksist në Shkodër, i cili tregoi se e kishte transportuar 13-vjeçaren drejt Fierit.
Pas koordinimit mes disa komisariateve, e mitura u gjet në një parukeri.
Sipas raportimit, gjatë kohës që ishte larguar nga banesa, vajza kishte udhëtuar në Fier, Gjirokastër, Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Burrel, duke qëndruar edhe në hotele.
Dy persona dyshohen për abuzim seksual ndaj së miturës, ndërsa ndaj njërit prej tyre është ngritur akuza për marrëdhënie seksuale me të mitura.
Një element që ngre dyshime edhe për shfrytëzim seksual për përfitime financiare është dëshmia që 13-vjeçarja raportohet se ka dhënë përpara policisë.
“Vajza ka thënë se kjo është mënyrë për të bërë shumë para”, deklaroi gazetarja Glidona Daci.
Sipas saj, e mitura ishte larguar edhe më herët nga banesa, por në atë rast ishte lokalizuar dhe gjetur brenda qytetit të Shkodrës.
Hetimet po vijojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, kontaktet e së miturës me personat e përfshirë dhe përgjegjësinë e secilit prej tyre.
Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë e fëmijëve në rrjetet sociale, rrezikun e shfrytëzimit seksual dhe mekanizmat institucionalë për mbrojtjen e të miturve.
.






