Shqipëria pritet të mbyllë përkohësisht disa kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian në mesin e dhjetorit. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, gjatë një interviste për ABC News, ndërkohë që në Bruksel zhvillohej samiti BE–Ballkani Perëndimor.

Pa zbuluar numrin e saktë të kapitujve, ministrja konfirmoi se bëhet fjalë për më shumë se dy.

“Jemi në një lajm shumë të mirë që unë besoj do duhet ta lë ekskluzivitetin për mbylljen e disa kapitujve të tjerë, që nuk është as një, as dy, janë më shumë sesa kaq”, deklaroi Ismaili.

Ministrja theksoi se Shqipëria ka mbyllur deri tani përkohësisht katër kapituj, ndërsa objektivi mbetet përfundimi i negociatave për të gjithë kapitujt deri në dhjetor të vitit 2027.

Sipas saj, ky është një objektiv ambicioz, por i arritshëm, falë bashkëpunimit mes qeverisë, Kuvendit dhe ekipit të negociatorëve.

Debati për progresraportin, Ismaili: Integrimi përtej ndasive politike

Duke folur për mocionin me debat mbi progresraportin e Komisionit Europian, që do të zhvillohet në Kuvend më 10 dhjetor, Ismaili e cilësoi pozitiv dakordësimin mes mazhorancës dhe opozitës.

Sipas ministres, seanca parlamentare duhet të shërbejë për informimin e qytetarëve mbi arritjet e Shqipërisë dhe sfidat që mbeten në procesin e anëtarësimit.

Ajo evidentoi si shembuj pozitivë bashkëpunimin mes mazhorancës dhe opozitës për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, vlerësimet për luftën kundër korrupsionit dhe përfundimin e procesit të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Është shumë e rëndësishme që në procesin e integrimit drejt Bashkimit Europian të jemi të dakordësuar që është një dëshirë, është një ambicie jo vetëm e qeverisë, por e të gjithë popullit shqiptar”, u shpreh Ismaili, duke kërkuar forcimin e bashkëpunimit politik dhe institucional përtej ndasive partiake.

Buxheti 2027, mbështetje për pensionistët, familjet dhe studentët

Ministrja foli gjithashtu për projektbuxhetin e vitit 2027, me një vlerë prej mbi 10 miliardë eurosh, duke theksuar se fokusi kryesor është mirëqenia sociale.

Sipas Ismailit, bonusi mujor i pensionistëve do të dyfishohet në vitin 2027 krahasuar me vitin aktual, ndërsa rritja e mbështetjes do të vijojë deri në vitin 2030. Në muajin prill parashikohet edhe indeksimi i pensioneve.

Një tjetër reformë e rëndësishme është ndryshimi i skemës së bonusit të bebeve, që parashikon një pagesë të menjëhershme prej 40 mijë lekësh në lindjen e fëmijës dhe mbështetje mujore deri në moshën pesëvjeçare:

  • 5 mijë lekë në muaj për fëmijën e parë;
  • 7 mijë lekë në muaj për fëmijën e dytë;
  • 10 mijë lekë në muaj për fëmijën e tretë dhe fëmijët pasardhës.

Për studentët nga familjet në nevojë, mbështetja mujore do të rritet nga 10 mijë në 25 mijë lekë, ndërsa do të ruhen skemat ekzistuese për studentët ekselentë dhe ata që ndjekin degët e konsideruara në rrezik, si matematika dhe fizika.

Ismaili përmendi gjithashtu investimet në godinat universitare, laboratorët dhe inovacionin.

Ulja e TVSH-së për ushqimet, aplikacion për krahasimin e çmimeve

Duke folur për uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte të shportës, ministrja deklaroi se nga fillimi i vitit 2027 do të ketë kontrolle për të garantuar që ulja e taksës të reflektohet në çmimet e supermarketeve.

Paralelisht, nisma e pasqyrës së çmimeve, e cila ka nisur me 200 produkte, synon të përfshijë 1 mijë produkte në fillim të janarit 2027.

Përmes një aplikacioni, qytetarët do të kenë mundësi të krahasojnë në kohë reale çmimet e produkteve në supermarketet pranë zonës ku banojnë dhe të identifikojnë alternativat më të lira.

Sipas Ismailit, kjo nismë synon të nxisë konkurrencën mes supermarketeve dhe të ndikojë në uljen e shpenzimeve të familjeve.

“Prania Besnike”, Ismaili: Qytetarët kanë nevojë të dëgjohen

Në cilësinë e deputetes së qarkut të Vlorës, Erjona Ismaili foli edhe për nismën “Prania Besnike”, që synon forcimin e komunikimit të vazhdueshëm mes deputetëve dhe qytetarëve.

Ajo tregoi se takimet me banorët, përfshirë vizitat fshat më fshat, i kishte zhvilluar edhe përpara nisjes së kësaj nisme, ndërsa tashmë i alternon ato me takime të organizuara në vende dhe orare të përcaktuara.

Sipas ministres, ky komunikim ndihmon në identifikimin e problematikave dhe ushtrimin e një presioni pozitiv ndaj institucioneve për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike.

Ismaili theksoi se qytetarëve duhet t’u shpjegohet edhe kur një problem nuk mund të zgjidhet për shkak të kufizimeve ligjore, duke vendosur respektimin e ligjit mbi interesat partiake apo politike.

Ajo nënvizoi se integrimi europian nuk nënkupton vetëm përafrimin e legjislacionit, por edhe rritjen e mirëqenies dhe ofrimin e shërbimeve publike sipas standardeve europiane.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu