Dy persona mbetën të plagosur mëngjesin e kësaj të marte pas të shtënave me armë zjarri në Shkollën e Parë Teknike në Kragujevac të Serbisë. Policia arrestoi një nxënës 17-vjeçar, i cili dyshohet se përdori një pushkë të kalibrit të vogël në hollin e shkollës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 08:00, ndërsa mësimi kishte nisur. Sipas Ministrisë së Brendshme serbe, njëri prej personave dyshohet se është plagosur nga arma e zjarrit, ndërsa tjetri nga thyerja e xhamave. Asnjë nxënës nuk është lënduar.

Të dy të plagosurit u dërguan në spital. Ministria e Arsimit njoftoi se, sipas informacioneve paraprake, ata janë jashtë rrezikut për jetën.

Drejtori i shkollës, Nemanja Joksimoviç, konfirmoi se i arrestuari ishte nxënës i institucionit. Ai shpjegoi se incidenti ndodhi gjatë orës së parë, kur nxënësit e tjerë ndodheshin në klasa.

Pas ngjarjes, Ministria e Arsimit ngriti një shtab krize dhe dërgoi një ekip në Kragujevac. Policia po heton rrethanat dhe motivet e të shtënave.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu