
Pas më shumë se tre vitesh në kërkim, policia e Shkodrës ka arrestuar 23-vjeçarin Luçian Mëhilli, të dyshuar si bashkautor në vrasjen e Valter Fjerzës, ngjarje e ndodhur më 21 shtator 2023 në fshatin Hot i Ri.
Mëhilli u kap gjatë operacionit policor të koduar “Target”, në aksin rrugor Shkodër–Prekal, teksa udhëtonte me një automjet tip “Opel”.
Bashkë me të u arrestua edhe 26-vjeçari Kristjan Çarkaj, i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit dhe veprimtari në fushën e narkotikëve.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi sasi të dyshuara kanabisi dhe kokaine, automjetin dhe dy telefona celularë.
Për Luçian Mëhillin, Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për vrasje me dashje në bashkëpunim, armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje narkotikësh.
Vrasja nisi nga një debat për parkimin
Ngjarja e rëndë e vitit 2023 kishte si zanafillë një konflikt për parkimin e një automjeti.
Sipas dosjes hetimore të cituar nga Ora News, Klevis Fjerza ishte konfliktuar me tre vëllezërit Klodjan, Paolo dhe Luçian Mëhilli, si dhe me Aleksandër Mëhillin dhe Enton Dushajn.
Gjatë përplasjes, Klodjan Mëhilli dyshohet se kishte nxjerrë një pistoletë, e cila iu hoq nga duart pas ndërhyrjes së dy personave.
Më pas, sipas hetimeve, ai mori një automatik kallashnikov nga automjeti i tij dhe qëlloi drejt makinës së Valter Fjerzës, i cili kishte mbërritur për të ndihmuar vëllain.
33-vjeçari u godit me plumb në kokë dhe humbi jetën në vend.
Me arrestimin e Luçian Mëhillit, policia ka ndaluar një tjetër person të dyshuar si të përfshirë në këtë krim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës.






