Një vendim i rëndësishëm është marrë pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt, ngjarje që tronditi Kosovën dhe shkaktoi reagime të forta për dështimin e institucioneve në mbrojtjen e saj.

Institucioni financiar Kreditimi Rural i Kosovës (KRK) ka njoftuar faljen e plotë të borxhit të kredisë që ishte regjistruar në emër të viktimës, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Vendimi është bërë publik përmes një njoftimi zyrtar, ku institucioni sqaron se ka shqyrtuar rrethanat e ngjarjes dhe ka vendosur të anulojë të gjithë detyrimin financiar.

“Institucioni ynë, Kreditimi Rural i Kosovës (KRK), njofton opinionin publik se, pas shqyrtimit të rrethanave dhe vlerësimit të rastit, ka marrë vendim për faljen e plotë të borxhit të kredisë së regjistruar në emër të së ndjerës, znj. Arlinda Zekaj”, thuhet në njoftim.

KRK konfirmon se do të ndërmarrë të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe financiare për zbatimin e vendimit.

Vrasja që tronditi Kosovën

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor, ndërsa i dyshuar për krimin është kunati i saj, Albert Sylaj.

Ngjarja ka shkaktuar zemërim të madh publik, veçanërisht pas raportimeve se viktima kishte kërkuar më herët mbrojtje nga institucionet.

Rasti ka nxjerrë në pah mangësi serioze në trajtimin e denoncimeve për dhunë dhe kërcënime, duke shkaktuar protesta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale.

Ndërkohë, me vendimin e fundit të KRK-së, detyrimi financiar i regjistruar në emër të Arlinda Zekajt do të falet plotësisht.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu