
Qeveria shqiptare ka miratuar paketën e re të masave kundër dhunës në protesta, duke ashpërsuar gjobat, zgjeruar kompetencat e Policisë së Shtetit dhe krijuar një regjistër elektronik për personat e dyshuar për veprime të dhunshme. Një nga ndryshimet më të rëndësishme parashikon mundësinë e refuzimit të daljes jashtë Shqipërisë edhe kur ndaj personit nuk ka një masë gjyqësore që ndalon udhëtimin.
Këshilli i Ministrave ka miratuar të mërkurën, më 28 tetor, ndryshimet në ligjin “Për tubimet” dhe një vendim të posaçëm për regjistrimin e personave të referuar ose nën hetim për veprime të dhunshme gjatë protestave.
Masat, të prezantuara më herët nga kryeministri Edi Rama, vijnë pas protestave të ditëve të fundit në Tiranë dhe përfshijnë gjoba deri në 500 mijë lekë, kufizime të përkohshme të tubimeve në zona të caktuara dhe kontrolle të reja në pikat kufitare.
Gjobë deri në 500 mijë lekë për protestuesit me identitet të fshehur
Sipas ndryshimeve ligjore, pjesëmarrja në një tubim të ndaluar dënohet me gjobë nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë.
Për mosbindjen ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit, gjobat variojnë nga 10 mijë deri në 200 mijë lekë, në varësi të shkeljes.
Masa më e rëndë, nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë, parashikohet për personat që nuk zbatojnë urdhrin për shpërndarje në rastet e përcaktuara nga ligji dhe kanë fshehur identitetin.
Fshehja e paligjshme e identitetit dënohet veçmas me gjobë nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë. Nga ky sanksion përjashtohen rastet kur mbulimi i fytyrës justifikohet nga arsye shëndetësore, fetare ose profesionale, përfshirë gazetarët, personelin mjekësor dhe vëzhguesit e tubimeve.
Ndërkohë, bllokimi i rrugëve gjatë protestave, me pasojë pengimin e qarkullimit, dënohet me 5 mijë lekë për çdo ditë bllokimi dhe për çdo person pjesëmarrës, nëse veprimi nuk përbën vepër penale.
Gjobat do të vendosen nga Policia e Shtetit.
Regjistër i posaçëm, mund të refuzohet dalja jashtë Shqipërisë pa masë gjyqësore
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është krijimi i një regjistri elektronik për personat e referuar në prokurori ose nën hetim për vepra penale të lidhura me dhunën gjatë protestave.
Regjistri do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe do të përmbajë të dhënat e personave për të cilët, sipas autoriteteve, janë dokumentuar veprime konkrete të dhunshme ndaj njerëzve ose pronës.
Vendimi parashikon që Policia Kufitare të ketë akses të kufizuar në këtë regjistër.
Pika më e debatueshme është se autoritetet kufitare mund të refuzojnë administrativisht daljen jashtë vendit të një personi, pas verifikimit individual, edhe nëse ndaj tij nuk është vendosur masë sigurimi për ndalimin e largimit nga Shqipëria.
Kjo nuk do të thotë se çdo person i regjistruar ndalohet automatikisht të udhëtojë. Vendimi e lidh refuzimin me të dhëna konkrete dhe me kushtet e ligjit për kontrollin e kufirit shtetëror.
Por kompetenca për kufizimin e udhëtimit pa një masë gjyqësore ngre pikëpyetje mbi garancitë procedurale dhe mbrojtjen e lirisë së lëvizjes.
Madje, sipas vendimit, nëse personit nuk i refuzohet dalja, autoritetet shqiptare parashikohet të njoftojnë autoritetet e shtetit të destinacionit se ai është referuar për veprat përkatëse.
Kjo dispozitë nuk përbën automatikisht ndalim hyrjeje në Bashkimin Evropian, por parashikon shkëmbimin e informacionit me autoritetet e vendit ku personi udhëton.
Policia mund të njoftojë edhe hotelet
Vendimi për regjistrin elektronik përmban edhe një dispozitë tjetër: Policia e Shtetit mund të njoftojë strukturat private të akomodimit për personat ndaj të cilëve ka të dhëna konkrete për veprime të dhunshme dhe që janë referuar në prokurori.
Ky parashikim shton diskutimin mbi përhapjen e të dhënave personale të personave që mund të jenë ende nën hetim dhe jo të dënuar me vendim gjykate.
Sipas vendimit, nevoja për ruajtjen e të dhënave duhet të rishikohet brenda 30 ditëve nga regjistrimi. Në rast se prokuroria vendos mosfillimin e procedimit penal ose pushimin e çështjes, të dhënat duhet të fshihen.
Policia mund të kufizojë protestat deri në 72 orë
Paketa i jep drejtuesit të drejtorisë vendore të policisë, me miratimin e prefektit, mundësinë të ndalojë ose kufizojë përkohësisht tubimet pranë institucioneve arsimore, shëndetësore apo shtetërore.
Kufizimi mund të vendoset vetëm kur ekziston një rrezik real, serioz dhe i afërt për dhunë ose dëmtime të rënda të pronës, i mbështetur në fakte konkrete.
Masa mund të zgjasë deri në 72 orë dhe të rinovohet vetëm një herë, me një vendim të ri të arsyetuar.
Vendimi mund të ankimohet në gjykatën administrative, e cila duhet të shprehet brenda 48 orëve. Megjithatë, ankimi nuk e pezullon automatikisht zbatimin e kufizimit.
Policia mund të urdhërojë gjithashtu largimin e personave nga zona të mbrojtura për një periudhë deri në 48 orë, kur sjellja e tyre konkrete përbën kërcënim ose shkakton dhunë apo dëmtime.
Ligji përcakton se një urdhër i tillë nuk mund të jepet vetëm për pjesëmarrje në një tubim paqësor.
Kontroll edhe mbi thirrjet për dhunë në rrjetet sociale
Ndryshimet parashikojnë ndërhyrje edhe ndaj thirrjeve për dhunë të shpërndara në rrjetet sociale, përmes postës elektronike apo komunikimeve telefonike gjatë organizimit dhe zhvillimit të tubimeve.
Në këto raste, Policia e Shtetit mund t’i kërkojë personit të identifikuar fshirjen e përmbajtjes dhe mospërsëritjen e veprimeve.
Nëse përmbajtja nuk hiqet ose veprimet përsëriten, mund të ndërmerren masa të mëtejshme sipas legjislacionit në fuqi.
Policia do të ketë gjithashtu detyrimin të regjistrojë me mjete audiovizuale paralajmërimet për shpërndarjen e tubimeve dhe aktet e dhunës.
Masa kundër dhunës apo kufizime të reja të të drejtave?
Qeveria i ka paraqitur ndryshimet si instrumente për mbrojtjen e protestave paqësore, sigurisë publike dhe pronës, duke argumentuar se dhuna nuk mund të justifikohet me të drejtën e tubimit.
Megjithatë, dispozitat për kufizimin e udhëtimeve pa masë gjyqësore, regjistrimin e personave ende nën hetim dhe njoftimin e autoriteteve të huaja apo strukturave private të akomodimit ngrenë çështje që lidhen me proporcionalitetin, privatësinë dhe prezumimin e pafajësisë.
Mbetet për t’u parë se si do të zbatohen në praktikë këto kompetenca dhe çfarë kontrolli do të ushtrohet mbi vendimet individuale të policisë.
Akti normativ për ndryshimet në ligjin “Për tubimet” parashikon hyrjen në fuqi menjëherë dhe botimin në Fletoren Zyrtare, ndërsa vendimi për regjistrin elektronik hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.



