
Përmes një postimi në Facebook, Balla ka sulmuar opozitën, duke e cilësuar selinë e Partisë Demokratike si “depoja e molotovëve” dhe duke kritikuar qëndrimin e saj ndaj procesit të konsultimeve.
Sipas Ballës, ftesa e partive politike nga Presidenti për caktimin e datës së zgjedhjeve është një praktikë e ndjekur edhe nga paraardhësit e Begajt dhe nuk duhet të kthehet në objekt kundërshtimesh politike.
“Çdo President i Republikës ka bërë të njëjtën procedurë, duke ftuar partitë politike për konsultimin e datës së zgjedhjeve. Por sot ‘depoja e molotovëve’-SHQUP qenka shprehur kundër kësaj tradite”, shkruan Balla.
Përfaqësuesi socialist i është referuar edhe historikut të përplasjeve të Partisë Demokratike me proceset zgjedhore, duke përmendur bojkotet dhe konfliktet për drejtimin dhe vulën e partisë.
“Uroj që t’i thërrasin arsyes dhe të marrin pjesë në zgjedhjet vendore diku mes 15 prill – 15 majit 2027. Të kundërtën e kanë provuar në forma të ndryshme me bojkot, me vulë, pa vulë etj.”, deklaroi ai.
Në të njëjtin reagim, Balla konfirmoi se Partia Socialiste do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së kreut të shtetit.
“Partia Socialiste konfirmon prezencën në konsultime me Presidentin e Republikës zotin Bajram Begaj mbi datën e zgjedhjeve vendore 2027”, shkroi ai.
Reagimi vjen pasi Presidenti Bajram Begaj ka ftuar partitë politike me përfaqësim parlamentar në një takim konsultativ më 30 tetor, në Pallatin e Brigadave, për të diskutuar datën e zgjedhjeve të ardhshme lokale.
Partia Demokratike ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në këtë proces, ndërsa socialistët kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor, zgjedhjet vendore të vitit 2027 duhet të zhvillohen në një nga të dielat e periudhës nga 15 prilli deri më 15 maj.
Data përfundimtare do të caktohet me dekret të Presidentit të Republikës pas përfundimit të procedurave përkatëse.






