
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka ngritur alarmin për atë që e cilëson kërcënim të vazhdueshëm nga Serbia ndaj sovranitetit të Kosovës dhe stabilitetit në rajon. Ai akuzon Beogradin për synime territoriale dhe mungesë llogaridhënieje lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023.
Në një intervistë për median “The Hungary Insider”, të publikuar më 15 tetor, Konjufca deklaroi se zhvillimet e fundit dëshmojnë, sipas tij, vazhdimësinë e politikës së Serbisë ndaj Kosovës.
“Kërcënimi ndaj Republikës së Kosovës është real dhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta njohë seriozitetin e këtij modeli”, u shpreh ai.
Kreu i diplomacisë kosovare iu referua deklaratave të zyrtarëve serbë, si dhe paraqitjeve publike të Milan Radoiçiqit në tubime politike në Serbi.
Konjufca e lidhi këtë situatë edhe me sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Sipas tij, mungesa e llogaridhënies për atë ngjarje dhe mbrojtja politike që ai pretendon se u ofrohet personave të përfshirë përbëjnë shqetësim serioz për sigurinë e Kosovës.
Deklaratat e Konjufcës vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë vijojnë të karakterizohen nga mosmarrëveshjet për sovranitetin dhe sigurinë.
Përmes intervistës, ministri i Jashtëm i Kosovës kërkoi që bashkësia ndërkombëtare t’i trajtojë me seriozitet shqetësimet e ngritura nga Prishtina për veprimet dhe qëndrimet e Beogradit.






