Policia e Shtetit ka reaguar pas përhapjes së pretendimeve në rrjetet sociale se gjatë protestës së 15 tetorit në Tiranë janë angazhuar edhe efektivë policie nga Serbia. Institucioni i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar lajme të pavërteta dhe dashakeqe.

Në një deklaratë zyrtare, Policia e Shtetit shpreh keqardhjen për qarkullimin e informacioneve që pretendojnë se në radhët e forcave të rendit janë përfshirë punonjës të policisë serbe.

Sipas saj, këto pretendime synojnë të nxisin tensione duke shfrytëzuar ndjenjat nacionaliste të qytetarëve.

“Përhapja e këtyre pretendimeve tërësisht të pavërteta dhe dashakeqe synon të shfrytëzojë ndjenjat nacionaliste për të krijuar klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit”, thuhet në reagim.

Policia sqaron se gjatë tubimit të 15 tetorit janë angazhuar vetëm efektivë shqiptarë, të caktuar në shërbim sipas planit të masave të hartuar për garantimin e rendit dhe sigurisë.

“Policia e Shtetit sqaron se në tubimin e datës 15.10.2026, ashtu si në çdo tubim tjetër, janë angazhuar vetëm punonjës të Policisë së Shtetit, të planëzuar në shërbim në bazë të planit të masave”, theksohet në deklaratë.

Në përfundim, institucioni përsërit se pretendimi për praninë e policëve nga Serbia gjatë protestës në kryeqytet është tërësisht i pavërtetë.

Reagimi vjen pas protestës së tretë të nxënësve dhe studentëve në Tiranë, e cila u shoqërua me tensione, dëmtime të pronës dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu