Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas natës së tretë të protestave në Tiranë, duke akuzuar opozitën dhe ato që i cilësoi si “duar të huaja” se po nxisin dhunën për të penguar përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Nga zona ku u dogj një biznes gjatë protestës, kreu i qeverisë deklaroi se aktet e dhunës nuk kanë lidhje me kërkesat e studentëve, ndërsa premtoi mbështetje për sipërmarrësit e dëmtuar.

Video

Duke qëndruar përpara mbetjeve të një biznesi të shkatërruar, Rama e nisi reagimin me një mesazh për familjen që siguronte të ardhurat nga kjo veprimtari.

“Kjo është gërmadha e jetës, e punës, e mundit, e djersës, e ëndrrave dhe shpresave të një familjeje të zakonshme, të prindërve të zakonshëm që hapin derën çdo mëngjes për të çuar në mbrëmje të ardhurat dhe për shtruar tryezën me ndershmëri”, tha kryeministri.

Ai garantoi se qeveria do të jetë pranë bizneseve që kanë pësuar dëme, duke kujtuar rindërtimin pas tërmetit të vitit 2019.

“Sapo kjo flamë të kalojë, ne do të jemi aty bashkë”, u shpreh Rama, duke theksuar se Shqipëria ka përballuar edhe fatkeqësi shumë më të rënda.

Kryeministri kundërshtoi që aktet e dhunës të identifikohen me lëvizjen studentore.

“Si mund të jenë studentët? Si mund të jetë investimi i prindërve tek fëmijët e tyre kjo gërmadhë? Kjo nuk ka lidhje fare me studentët. E gjithë kjo flamë nuk është flamë studentore”, deklaroi ai.

Sipas Ramës, pas incidenteve qëndrojnë forca politike që synojnë destabilizimin e vendit.

“E gjithë kjo është po ajo dorë, po ajo dorë që ka kapur për fyti opozitën shqiptare dhe që e ka djegur dhe shkatërruar jo një herë Shqipërinë dhe që është gati ta djegë e shkatërrojë përsëri”, tha kryeministri.

Ai akuzoi gjithashtu organizatorët e akteve të dhunshme se po përdorin të miturit për qëllime politike.

“Si mund të nxirren të miturit në rrugë? Si mund të nxiten të miturit, të vënë maska, të shkulin trotuaret që shtrohen dhe mirëmbahen përditë me taksat tuaja dhe të qëllojnë policinë?”, pyeti Rama.

Kreu i qeverisë pretendoi se përveç forcave të brendshme politike, në nxitjen e trazirave kanë rol edhe interesa të huaja.

“Dora e mbrapshtë, dora e vjetër, dora e keqe që e ka ndjekur Shqipërinë si mallkim në fakt që nga viti 1912 dhe që e dimë shumë mirë se e kujt është prej 30 e kusur vitesh, sot mbështetet dhe nga duart të tjera, duar të huaja”, deklaroi ai.

Sipas kryeministrit, këto interesa nuk dëshirojnë që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.

Rama e lidhi drejtpërdrejt shpërthimin e dhunës me përparimin e fundit të vendit në negociatat e anëtarësimit.

“A ju duket rastësi që sapo Shqipëria çel një tjetër dritë jeshile, sapo Shqipëria mbyll një tjetër kapitull, sapo Shqipëria afrohet më shumë drejt asaj ambicieje, drejt atij objektivi historik, këtu plas flaka? Nuk është aspak rastësi!”, theksoi ai.

Deklarata vjen pas mbylljes së përkohshme të Kapitullit 20 të negociatave me Bashkimin Europian, në Konferencën e dhjetë Ndërqeveritare të zhvilluar në Luksemburg.

Megjithatë, Rama pranoi se studentët dhe qytetarët kanë shqetësime legjitime dhe të drejtën për të kërkuar përmirësimin e kushteve të jetesës.

“Studentët, sipërmarrësit, të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, prindërit e tyre kanë të drejtë të kërkojnë më shumë, ndërkohë që po, problemet janë aty, duhen adresuar”, deklaroi kryeministri.

Ai theksoi se qeveria nuk do të tërhiqet përballë dhunës, duke argumentuar se tolerimi i saj do të rrezikonte stabilitetin e vendit.

“Kush thotë le të përkulemi përballë dhunës për pakëz qetësi, gabon. Gabon sepse të përkulesh përballë dhunës për pakëz qetësi do të thotë ta humbësh qetësinë dhe ta humbësh rrugën për një kohë të gjatë”, tha Rama.

Në përfundim, kryeministri u bëri thirrje qytetarëve për durim dhe besim se situata do të kapërcehet.

“Motra dhe vëllezër durim, durim se dhe kjo do kalojë. Durim se pasi kjo të kalojë do të dalim siç kemi dalë nga sprovat e tjera, më të fortë dhe më të vetëdijshëm për sfidën e përbashkët që kemi përpara”, përfundoi ai.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu