Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama për agjencinë Reuters se nuk do të japë dorëheqjen, pavarësisht protestave që kanë përfshirë vendin. Berisha paralajmëroi se Rama e ka të humbur përballjen me protestuesit, ndërsa u bëri thirrje efektivëve të policisë të mos ndërhyjnë ndaj studentëve.

I pyetur nga gazetarja e RTSH-së, Anisa Kadesha, nëse refuzimi i dorëheqjes nga kryeministri rrezikon ta çojë vendin drejt destabilitetit, Berisha u përgjigj se Rama nuk mund ta fitojë këtë përballje.

“Në një situatë të tillë, ju garantoj se Edi Rama ka të humbur çdo betejë”, deklaroi kreu i opozitës.

Berisha iu referua edhe protestës së dhunshme të së mërkurës në Tiranë, duke i cilësuar protestuesit si forcën vendimtare të përballjes.

“E pa mbrëmë se kush ishin luanët e sheshbetejës. E pa! Mos të përdorë policinë si mish për top”, tha ai.

Kreu i PD-së u bëri thirrje punonjësve të Policisë së Shtetit që, sipas tij, nuk janë të përfshirë në veprimtari kriminale, të japin dorëheqjen.

“U bëj thirrje anëtarëve të Policisë së Shtetit që nuk janë të përlyer me drogë dhe krim të japin dorëheqjen”, deklaroi Berisha.

Ai kërkoi gjithashtu që efektivët në qytetet ku po zhvillohen protesta të mos ndërhyjnë ndaj studentëve.

“I bëj thirrje policisë në ato qarqe, të mos guxojë të prekë studentët. Forca e tyre është e jashtëzakonshme pastaj”, u shpreh ai.

Berisha u bëri thirrje edhe qytetarëve dhe bizneseve që të mbështesin protestat, të cilat këtë të enjte janë shtrirë në disa qytete të Shqipërisë.

Gjatë deklaratës, kryedemokrati bëri edhe një krahasim me ngjarjet e dhjetorit 1990, duke akuzuar familjarë të kryeministrit për qëndrimet e tyre ndaj lëvizjes studentore të asaj kohe.

Reagimi vjen pasi Rama deklaroi për Reuters se nuk do të largohet nga detyra, duke përjashtuar mundësinë e dorëheqjes në kushtet e protestave dhe përplasjeve të dhunshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu