
Në Tiranë, protestuesit kanë vijuar marshimin në disa zona të kryeqytetit, ndërsa tensionet janë përshkallëzuar pranë institucioneve shtetërore. Grupe protestuesish kanë hedhur gurë dhe kapsolla drejt Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Mjedisit dhe godinave të tjera, ndërsa janë thyer edhe xhamat e Teatrit të Kukullave.
View this post on Instagram
Përplasjet janë zhvendosur edhe pranë selisë së Partisë Socialiste, ku policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Incidente janë regjistruar gjithashtu pranë Bankës së Shqipërisë, ndërsa në disa rrugë janë dëmtuar semaforë dhe biznese private.
Në Durrës, protesta është shoqëruar me përleshje pranë Drejtorisë Vendore të Policisë. Sipas raportimit të BalkanWeb, dhjetë persona janë shoqëruar, ndërsa pesë efektivë policie kanë përfunduar në spital. Protestuesit kanë dëmtuar gjithashtu katin e parë të godinës së Prokurorisë, duke thyer xhamat.
View this post on Instagram
Tensione janë regjistruar edhe në Korçë, ku protestuesit kanë dëmtuar xhamat e Drejtorisë Arsimore. Policia ka ndërhyrë duke shoqëruar disa të rinj, ndërsa gjatë tubimit është raportuar edhe një përplasje fizike mes protestuesve dhe një kalimtareje. Pas disa orësh, protesta në këtë qytet është mbyllur.
Në Shkodër, protestuesit kanë hedhur gurë drejt godinës së bashkisë dhe janë përplasur me policinë. Në Elbasan janë raportuar akte shkatërrimi dhe shoqërime të protestuesve, ndërsa tubime janë zhvilluar edhe në Vlorë dhe Kukës.
Lëvizja protestuese është shoqëruar me bojkotimin e mësimit në gjimnaze dhe fakultete. Studentët dhe nxënësit kërkojnë ndryshime në arsim, ndërsa gjatë protestave janë dëgjuar edhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Kreu i qeverisë ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen, ndërsa ka shprehur gatishmërinë për dialog me studentët.
Protestat vijojnë një ditë pas incidenteve të dhunshme të 14 tetorit, për të cilat Policia e Tiranës njoftoi arrestimin e 55 personave dhe procedimin penal të 98 të tjerëve.






