
Protesta para Ministrisë së Arsimit në Tiranë ka marrë një tjetër kthesë të dhunshme këtë të mërkurë, 14 tetor. Persona me fytyra të mbuluara kanë sulmuar një bankë të nivelit të dytë në Rrugën e Durrësit, duke tentuar të thyejnë xhamat dhe duke i vënë flakën ambienteve të saj.
Incidenti ka ndodhur gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë, të cilat vijojnë prej disa orësh në zonën përreth Ministrisë së Arsimit.
Sipas pamjeve të publikuara nga vendngjarja, disa persona të maskuar me shalle në fytyrë kanë goditur me sende të forta xhamat e bankës.
Më pas, në ambientet e brendshme të saj është shfaqur zjarr, duke krijuar rrezik edhe për godinat dhe bizneset e tjera që ndodhen pranë.
Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë për të shuar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e tyre.
Ndërkohë, policia ka vijuar ndërhyrjet me autobotë uji për shpërndarjen e protestuesve, ndërsa raportohet se disa persona janë shoqëruar.
Sulmi ndaj bankës vjen pas një sërë incidentesh të regjistruara gjatë protestës së sotme, ku persona të maskuar kanë goditur me gurë dhe molotovë Ministrinë e Arsimit, kanë shkulur kangjella metalike dhe u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave.
Protesta e studentëve, e cila vijon për të dytën ditë radhazi, është shoqëruar me përplasje të vazhdueshme mes një pjese të demonstruesve dhe forcave të rendit.
Deri tani nuk ka një bilanc zyrtar të dëmeve të shkaktuara në bankë dhe as informacion për persona të lënduar nga ky incident.






