
Partia Socialiste mbështet zgjerimin e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet vendore të vitit 2027, ndërsa Tirana shihet si një nga bashkitë ku mund të zbatohet kjo teknologji.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se do të ishte ideale që votimi dhe numërimi elektronik të aplikoheshin në të gjithë Bashkinë e Tiranës, duke qenë se është bashkia më e madhe në vend.
“Bashkia Tiranë do të ishte perfekte për votim dhe numërim elektronik në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm”, u shpreh Balla.
Sipas tij, përvoja e zgjedhjeve të mëparshme ka treguar se përdorimi i teknologjisë mundëson nxjerrjen e shpejtë të rezultateve dhe shmang procesin e gjatë të numërimit të votave.
Balla kujtoi se në zgjedhjet e vitit 2025 votimi elektronik u përdor në Bashkinë e Vorës dhe në njësinë administrative nr. 10 në Tiranë.
Ai theksoi se edhe Partia Demokratike ka dhënë më parë dakordësinë për përdorimin e kësaj teknologjie, pa ngritur kundërshtime për cilësinë dhe sigurinë e saj.
“PS e mbështet fuqishëm përdorimin e teknologjisë. Kanë mjaftuar disa palë zgjedhje për të konfirmuar se dalja menjëherë e rezultatit, për të përcaktuar vullnetin e votuesve, është diçka e domosdoshme”, deklaroi kreu i grupit socialist.
Megjithatë, Balla sqaroi se përzgjedhja e bashkive ku do të zbatohet votimi elektronik i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqësuesve politikë.
Ai vuri në dukje se mekanizmi i vendimmarrjes në KQZ i jep mundësi njërës palë të bllokojë tjetrën, duke lënë të kuptohet se zbatimi i teknologjisë në Tiranë do të kërkojë dakordësi politike.
Propozimi i Ballës vjen në prag të përgatitjeve për zgjedhjet vendore të vitit 2027, ndërsa mbetet për t’u vendosur nëse votimi dhe numërimi elektronik do të shtrihen në të gjithë kryeqytetin apo vetëm në bashki dhe njësi të caktuara.






