Deklarata e zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiç, se flamuri i Serbisë do të valëvitet një ditë mbi Prizren, ka shkaktuar reagime në Kosovë. Ndërsa ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, e ka cilësuar deklaratën si dëshmi të ambicieve territoriale të Beogradit, kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur të mos e komentojë.

I pyetur nga gazetarët për deklaratën e zyrtarit serb, Kurti iu referua qëndrimit të ministrit të Jashtëm dhe u largua pa dhënë një vlerësim të tijin.

“Ka dhënë deklarimet ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, më duhet të shkoj për 20 minuta”, u shpreh Kurti.

Polemika nisi pas një tubimi zgjedhor në Rashkë, ku Ivica Daçiç deklaroi se flamuri serb, herët a vonë, do të valëvitet mbi Prizren, qytetin ku ai ka lindur.

Zëvendëskryeministri serb përsëriti gjithashtu qëndrimin se partia e tij nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Daçiç shkoi edhe më tej, duke pretenduar se nëse forca e tij politike fiton mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme, do të arrijë që 20 shtete të tjera të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Deklaratat u kundërshtuan nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i cili i interpretoi ato si shprehje të synimeve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës.

Konjufca i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të dënojë deklarata dhe qëndrime të tilla, të cilat cenojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Përplasja e re verbale mes Prishtinës dhe Beogradit vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbeten të tensionuara, ndërsa çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës mbetet një nga pengesat kryesore të normalizimit të tyre.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu