Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Pogragjë të Gjilanit në Kosovë, ku një 29-vjeçar është vrarë me armë zjarri. Sipas raportimeve paraprake, dyshohet se autori i krimit është babai i viktimës, i cili është larguar nga vendngjarja dhe po kërkohet nga policia.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30, kur Policia e Kosovës është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në këtë fshat.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, konfirmoi se viktima është një mashkull i lindur në vitin 1997. Ekipi mjekësor që mbërriti në vendngjarje konstatoi vdekjen e tij.

Policia ka identifikuar një person të dyshuar, shtetas kosovar, i cili rezulton i njohur për autoritetet. Megjithatë, policia nuk ka konfirmuar zyrtarisht lidhjen familjare mes viktimës dhe të dyshuarit.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, njësitë hetimore po punojnë për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, si dhe për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të krimit.

Kjo është ngjarja e dytë e rëndë me armë zjarri në zonën e Gjilanit brenda dy ditësh. Më 10 tetor, në Livoq të Ulët, dy persona humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur. Sipas informacioneve të raportuara, i plagosuri vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu