
Një hetim gati dyvjeçar në Verona të Italisë ka zbuluar dyshime për keqtrajtim të qenve Beagle të përdorur në eksperimente farmaceutike, duke çuar në denoncimin e 14 personave dhe sekuestrimin e 17 kafshëve që ndodheshin ende gjallë në laborator.
Hetimi, i koduar “Beagle Nightmare”, është koordinuar nga Prokuroria e Veronës dhe është zhvilluar nga karabinierët pyjorë. Në qendër të tij ndodhet selia e kompanisë Aptuit, që operon në kërkimin dhe zhvillimin farmaceutik.
Sipas hetuesve, disa prej qenve dyshohet se janë përdorur në eksperimente që nuk respektonin plotësisht protokollet e parashikuara për mbrojtjen e kafshëve laboratorike. Hetimi po shqyrton gjithashtu rastet kur disa kafshë kanë ngordhur ose janë eutanizuar pas testeve.
Mes personave të denoncuar janë përfaqësues e drejtues të kompanisë, si dhe drejtues e veterinerë të autoritetit shëndetësor lokal. Për disa prej tyre ngrihen dyshime edhe për deklarime të rreme në dokumentet e kontrolleve të kryera në strukturë.
Gjatë operacionit u sekuestruan 17 qen Beagle ende gjallë. Ata iu besuan organizatës për mbrojtjen e kafshëve LAV, e cila u kujdes për trajtimin dhe rehabilitimin e tyre.
Lajmi më i mirë është se të 17 qentë tashmë janë birësuar dhe kanë nisur një jetë të re larg laboratorëve.
Aptuit i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se inspektimet e autoriteteve kompetente kishin rezultuar më parë pozitive dhe se do të mbrojë reputacionin e kompanisë dhe të punonjësve të saj. Përgjegjësitë individuale mbeten për t’u provuar gjatë procesit gjyqësor.





