
Një aksident i rëndë është regjistruar rreth orës 01:00 të mëngjesit në zonën Evosmos, në Selanikun perëndimor, ku një automjet i drejtuar nga një 45-vjeçar shqiptar është përplasur me ambientet e jashtme të një taverne.
Makina që lëvizte në rrugën “Agamemnonos” doli nga kursi dhe u përplas me tavolinat dhe karriget ku ndodheshin klientë. Si pasojë, tre persona mbetën të plagosur, ndërsa biznesi pësoi dëme të konsiderueshme materiale.
Policia greke arrestoi drejtuesin e automjetit menjëherë pas ngjarjes. Nga testi i alkoolit rezultoi se ai po drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Sipas matjeve të policisë, niveli i alkoolit rezultoi 0.77 mg/l dhe 0.74 mg/l, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 0.25 mg/l.
Kamerat e sigurisë kanë regjistruar momentin e përplasjes, si edhe lëvizjet e shoferit pas aksidentit. Sipas raportimeve, ai tentoi të largohej nga vendngjarja duke lëvizur automjetin në drejtim të kundërt.
Pronari i tavernës tha se vazot dekorative të vendosura përpara lokalit amortizuan një pjesë të goditjes dhe mund të kenë shmangur pasoja më të rënda.
“Nëse nuk do të kishim vazot me lule, sot do të kishim funerale”, është shprehur ai.
Një nga klientet e plagosura tha se ndihej me fat që kishte shpëtuar, duke treguar se automjeti po vinte me shpejtësi të lartë.






