Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ka bërë sërish thirrje SPAK-ut të veprojë në çështjen e Belinda Ballukut, duke kritikuar atë që ai e cilëson zvarritje të procedurave.

Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi pretendon se ndaj Ballukut rëndojnë 14 akuza penale: dy për korrupsion, dy për pastrim parash, dy për fshehje pasurie dhe tetë për shkelje të barazisë në tendera.

Sipas tij, është e papranueshme që, në këto kushte, Balluku të vijojë të ushtrojë funksione publike dhe të marrë pjesë në vendimmarrje që ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët.

Bardhi iu referua edhe pjesëmarrjes së saj në Kuvend gjatë votimit të Reformës Territoriale, duke e cilësuar këtë si shembull të nevojës për një reagim më të shpejtë të institucioneve të drejtësisë.

“Mosveprimi dhe zvarritja në çështjen e Belinda Ballukut ngrenë pikëpyetje serioze mbi zbatimin e barabartë të ligjit”, shkroi Bardhi, sipas të cilit drejtësia duhet të funksionojë me të njëjtin standard për të gjithë.

Kreu i grupit demokrat i bëri thirrje SPAK-ut të veprojë “me vendosmëri dhe pa vonesa të pajustifikuara”, duke theksuar se vendimmarrja e drejtësisë nuk duhet të varet nga sinjale politike.

Bardhi e ka cilësuar këtë si “ditën e 32-të të pritjes për drejtësi”, ndërsa ka përsëritur qëndrimin se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu